Lajmet e fundit
Zyrtarë nga Drejtoria komunale për Shëndetësi dhe ajo për Bujqësi e Blegtori kanë konfirmuar të enjten, paraqitjen e rasteve me të prekur nga sëmundja e brucelozës në Ferizaj.

Burim Karameta, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi ka thënë se bëhet fjalë për disa persona të prekur nga fshati Pleshinë e Ferizajt, gjendja e të cilëve hëpërhë është stabile dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë epidemi me përmasa të gjera dhe alarmante.
“Situata është në kontroll, masat janë marrë më mirë se herave tjera. Ferizaj tashmë renditet si qyteti i tretë në Kosovë, për praninë e kësaj sëmundje. Bëhet fjalë për 5 raste, ku tri prej tyre janë hospitalizuar dhe janë në Klinikën Infektive, janë duke u trajtuar dhe gjendja e tyre është stabile dhe dy raste janë duke u trajtuar në kushte të shtëpisë, në përkujdesje të mjekëve. Gjithashtu kemi edhe 3 bashkëpunëtorë profesional, të cilët gjatë ekzaminimeve të ndryshme janë infektuar, por edhe gjendja e tyre është e mirë”, ka thënë Karameta.
Zyrtarët kanë thënë se bashkarisht me Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencionin e Veterinës kanë ndërmarrë hapat e duhur dhe nuk ka ndonjë shqetësim për përhapjen e kësaj sëmundjeje që atakon njerëzit përmes bartjes së saj nga kafshët.
Ndërsa Xhemajl Reçica, drejtor për Bujqësi ka thënë se sëmundja është paraqitur të shtunën e kaluar dhe për këtë me urgjencë janë takuar stacionet veterinere, të licencuara dhe ekipet e Komunës së Ferizajt, kanë marrë analizat e gjakut, ia kanë dërguar AVUK-ut dhe të njëjtat kanë rezultuar pozitive.
“Prej 226 krerë dele sa ka pasur kopeja, kanë dalë 126 të infektuar dhe një lopë, të cilët tash janë të izoluara dhe u është pamundësuar kontakti me bagëti tjera. Por, vendimi i agjencionit është që të gjitha të shkatërrohen. Detyra e Kuvendit është të gjejë lokacionin ku do të varrosen-groposen këto kafshë që do të eliminohen në mënyrë profesionale”, ka thënë Reçica, ndërsa ka shtuar se kësaj radhe identifikimi i sëmundjes ka qenë i shpejtë dhe për këtë arsye janë marrë masat që nuk lënë vend për panik.
“Nuk bëhet fjalë për sëmundje vdekjeprurëse, por shkakton komplikime në shëndet, si: temperatura të larta, të enjtura në nyje, dhimbje të muskujve. Më të atakuarit janë meshkujt etj.”, ka thënë Reçica, duke bërë thirrje që ata që kanë këto simptoma të lajmërohen te mjeku dhe sëmundja shërohet në një afat të shkurtër.
Zyrtarët kanë thënë se fermerit, të cilit do t’i shkatërrohet kopeja me dele, AVUK-u sipas ligjit dhe rregulloreve, do të bëjë kompensimin e dëmit.
“Çdo sëmundje shkatërruese e bagëtisë që paraqitet, AVUK-u bënë kompensimin dhe ky ka qenë një shqetësim i fermerit, pasi ka dashur që të ndajë qingjat e painfektuar, por kjo nuk lejohet për shkak të zonës dhe parqitjeve të rasteve të mëpastajme që do të dëmtonte bagëtinë e tjerëve”, ka thënë drejtori Reçica.
Zyrtarët komunal kanë thënë se janë në kontakt me drejtues të Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Ferizaj dhe sipas njohurive të tyre, në nivel rajoni ky hyjnë komunat përreth Ferizajt, nuk ka ndonjë rast tjetër të paraqitjes së brucelozës.