Lajmet e fundit

Konzorciumi francez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes”, ka dështuar sërish që t’ia dorëzojë Komitetit Drejtues Ndër-Ministror për Brezovicën, dëshminë se është e gatshme që të sigurojë mjetet e mjetet e nevojshme financiare për implementimin e fazës së parë për Zhvillimin e Projektit të Brezovicës.
Afati i fundit i dhënë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ishte 17 qershori dhe ky afat ishte përcaktuar pasi deri më tash kishte dështuar në 2 afate.
“Si rrjedhojë e pamundësisë së Partnerit Privat për të siguruar mjetet financiare në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së PPP dhe propozimin detyrues nga Partneri Privat, Komiteti Drejtues Ndërministror në përputhje me kontratën ka marrë vendim për të shkëputur Marrëveshjen e PPP-së dhe për ekzekutimin e sigurimit të tenderit të Partnerit Privat”, thuhet në njoftimin e Komitetit Drejtues Ndër-Ministror për Brezovicën.
Kompania franceze nuk ka arritur të dëshmojë se ka 410 milionë euro, prej të cilave 165 milionë pritej të investoheshin në tri vitet e para.
Qeveria tani pritet ti tërheqë 500 mijë euro të garancionit bankar nga kompania.
Në komunikatën e këtij komiteti ndër-ministror, thuhet se Qeveria është e bindur se një qendër turistike e klasit botëror do të zhvillohet nga investitorë, zhvillues dhe operues të njohur ndërkombëtarë në një të ardhme të afërt, raporton Klan Kosova.