Lajmet e fundit

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.
Ky delegacion është i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi
“Delegacioni i udhëhequr nga Guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
:Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare”.
Ismaili në këtë vizitë do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësimin e BQK-së në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur "Reserve Advisory & Management Partnership" (RAMP).
“RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota”.
“Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t'i adresuar ato”.