Lajmet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 25 gusht i propozoi Kuvendit të Kosovës një amendament lidhur me zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit në Hagë.
Kërkesa e Thaçit është të ndryshohet amendamenti kushtetues në të cilin thuhet se ‘’Mandati i Speciales është pesëvjeçar’’.
Ai propozoi që mandati të përfundojë atëherë kur Bashkimi Evropian, në konsultim me qeverinë kosovare, të njoftojnë për përmbylljen e misionit të Speciales.
Këtë kërkesë të presidentit Hashim Thaçi, po e kundërshton kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
Qëndrimin e tij, spanjolli e zbardhi në letrën e dërguar në Hagë, nga ku u kërkuan komentet e palëve lidhur me zgjatjen e mandatit të Speciales.
Duke përmendur kronologjikisht ngjarjet e mëdha që ndodhën në Prishtinë lidhur me këtë fushë, Borrell shton se Thaçi nuk është konsultuar para se ta dërgojë kërkesën e tij.
''Asnjë këshillim me Shefin e Misionit EULEX në Kosovë nuk u zhvillua përderisa Presidenti i Kosovës i dërgoi amendamentin e propozuar Kryesuesit të Kuvendit më 24 gusht 2020, në kundërshtim me detyrimin ligjor të lartpërmendur i cili duhej të ishte respektuar në përputhje me nenin 19 të Kushtetutës, i cili parashikon që “marrëveshjet e miratuara ndërkombëtare dhe normat e zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi mbi ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e tij.
Në adresimin 17 pikësh, Borrell kërkon që Paneli i Gjykatës Kushtetuese të rishikojë kushtetutshmërinë e propozimit të të parit të shtetit, ndërsa shton se institucionet e Speciales duhet të ruhen si të pavarura.
Nga zyra e Presidentit ndaj të cilit ekziston një draft-aktakuzë nga Specialja, nuk deshën ta komentojnë qëndrimin e përfaqësuesit të BE-së.
Bazuar Kushtetutën e Kosovës, mandati pesëvjeçar i Speciales ka skaduar në gusht të këtij viti.
Mirëpo ekziston Ligji për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së që ia jep të drejtën kësaj të fundit ta përmbyllë misionin e gjykatës.