Trendi i blerjeve online nga qytetarët e Kosovës, thuhet të jetë rritur 200 për qind, krahasuar me dy apo tre vjetët e kaluar. Nga rreth 12 mijë sa ka qenë numri i porosive online në vitin 2015, tani porositë e qytetarëve arrijnë në mbi 200 mijë kërkesa në vit.
Produktet që më së shumti blihen online nga qytetarët e Kosovës janë produkte e konsumit, si tekstili dhe bizhuteritë.
Këto të dhëna i bëjnë të ditura për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Doganave të Kosovës.
Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se është parë një trend në rritje i kërkesave të qytetarëve për të blerë online.
Rritja e qarkullimit të produkteve të blera nëpërmjet internetit dhe arritjes me shërbimin postar, kishte shtyrë Doganën dhe Postën e Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me lehtësimin e procedurave për zhdoganimin e dërgesave me rastin e pranimit të mallrave.
Deri me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët që kanë pranuar mallra përmes dërgesave postare, kanë qenë të detyruar të shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ose në Qendrën Transit të Postës në Fushë Kosovë, për të pranuar dërgesën dhe për të paguar taksën doganore.