Lajmet e fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në Londër, në ambasadën e Kosovës, me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair dhe bashkëshorten e tij, Cherrie Blair.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart angazhimin e ish-kryeministrit Blair për Kosovën, në mbrojtjen e popullit të Kosovës gjatë kohës së luftës, me vendimin për fushatën ajrore të NATO-s që parandaloi katastrofën humanitare, transmeton Klan Kosova.
Ajo gjithashtu e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në ruajtjen dhe kultivimin e vazhdueshëm të tolerancës ndërfetare, një vlerë e veçantë e shtetit të Kosovës.
“Presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Blair folën edhe për të arriturat e Kosovës, ndërtimin demokratik e gjithëpërfshirës të vendit, sfidat në procesin e integrimeve evropiane, dialogun me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura që duhet të zbatohen”, thuhet në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.
Blair tha se Kosova ka arritur shumë në proceset e shtetndërtimit dhe ajo duhet të vazhdojë të forcojë demokracinë e saj të brendshme dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar.