Lajmet e fundit

Kur shkoi në Komisionin për Punë të Jashtme, Besnik Bislimi mori edhe një analizë të bërë nga ekspertë të Grupit për Ballkan.
E pikërisht emrat e tyre u bënë shkaktarë i replikimit të parë brenda një tabori politik.
Është Haki Abazi që po i kërkon llogari e arsye bashkëpartiakut në Vetëvendosje, Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, se si u përfshinë Blerim Shala, Veton Surroi, Muhamet Mustafa, Leon Malazogu, Bernard Nikaj e Robert Muharremi në ekipin këshillues të dialogut, derisa më herët i kanë kritikuar rezultatet e tyre.
Por, Bislimi tha që nuk do të merret me të kaluarën e tyre, porse do këshillohet nga ta kur të është nevoja.
Për të qenë pjesë e ekspertëve këta emra, Bislimi thotë që marrëveshja ishte arrirë nga ish Kryeministri - Avdullah Hoti, në shtator të vitit 2020, derisa Ambasada e Norvegjisë do jetë financues i ekspertëve.
Këta nuk do jenë pjesë e ekipit negociator, njëjtë siç nuk do jetë eksperti i Hungarisë, Zvicrës e Britanisë.
Në negociata do marrin pjesë, Bislimi vet dhe Albin Kurti, të cilët ishin në vizitë dyditore në Bruksel javën e shkuar, për çka u thirr në raportim në Komision për Punë të Jashtme.
Atje, tha se nuk kanë bërë negociata, por vetëm se kanë marr informata nga emisari për dialog i BE-së, Lajçak.
Bislimi thotë pas 8 temave debatuese të dialogut që do nis në mesin e dytë të muajit qershor, pritet të arrihet marrëveshja ku këta nuk pranojnë ri-negocim të marrëveshjeve, nuk do ketë asociacion me kompetenca ekzekutive, pa prekje të sovranitetit dhe duke u garantuar njohja nga Serbia, 5 shtetet skeptike të BE-së dhe anëtarësimin në OKB.