Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pritën në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në mes dy vendeve, me theks në fushën e sigurisë.
Çuçi u shpreh se bashkëpunimi dhe komunikimi në mes dy ministrive përkatëse mund të merret si shembull dhe model i bashkëpunimit ndërinstitucional në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë takim të sotëm, që u mbajt një javë para mbledhjes së shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet me 26 nëntor, u bisedua edhe për marrëveshjet e deritanishme në mes dy vendeve tona dhe ato potenciale të reja në fushën e sigurisë.
Kurti dhe Sveçla u shprehën vullnetplotë për intesifikimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në fushën e sigurisë, si fushë e interesit të përbashkët.