Lajmet e fundit

Bashkësia Islame e Kosovës, e ka ribotuar revistën islame “Zani i Naltë”, që ishte revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923.
Resul Rexhepi, Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, në një intervistë dhënë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se ribotimi i kësaj reviste është shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
“Falë bashkëpunimit të mirëfilltë, bashkësitë islame kishin themeluar revistën “Zani i Naltë”. Ribotimi i kësaj reviste është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për ne në Kosovë, po për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.
Ai thotë se ribotimi i kësaj reviste që ka mbledhur sërish në një tryezë Bashkësinë Islame të Kosovës me atë të Shqipërisë, është bërë pa më të voglin problem për shkak se kishte shumë vullnet.
“Në këtë drejtim askush nuk ka hezituar që të mblidhemi bashkë për të bashkëpunuar rreth botimit të kësaj reviste. Kjo është revistë e papërsëritshme, për shkak se është botuar në një kohë e cila ka qenë shumë e zjarrtë. Në Shqipëri aso kohe, myslimanët kishin marrë iniciativën që të botonin këtë revistë e cila është shumë e dobishme”.
Revista “Zani i Naltë” ishte revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923, deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore.