Lajmet e fundit

Bien akuzat ndaj ish-drejtorit të Interpol Tirana, Artan Bajraktari. Prokuroria ka pushuar cështjen në ngarkim të tij, duke arsyetuar se nuk kemi të bëjmë me vepër penale.
Bajraktari u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën akuzën e fshehjes së urdhrit të arrestimit për deputetin kristian-demokrat, Mark Frroku.
Prangosja e tij erdhi pas hetimit të dosjes “Frroku”, ku rezultoi se kreu i Interpol Tirana kishte penguar dërgimin në Ministrinë e Drejtësisë të kërkesës së ardhur nga drejtësia belge për deputetin kristian demokrat, Mark Frroku.
Por dy ditë pas arrestimit, Gjykata e liroi Bajraktarin duke vlerësuar se arrestimi i tij ishte i paligjshëm.
Në kohën e arrestimit, Bajraktari ka deklaruar se ai ia kishte përcjellë me e –mail shkresat Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didit.
Ky i fundit dha dorëheqjen, në një farë mënyre i detyruar për të mbuluar skandalin e fshehjes së kërkesës së drejtësisë belge për deputetin Mark Frroku./Lapsi.al