Lajmet e fundit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i dërgoi letër uruese presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në mes rreshtash presidenti amerikan i shkruan kryetares kosovare për angazhimet e Republikës në arenën ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.
Në veçanti përmendet dialogu me Serbinë ku Biden kërkon ujdi me njohje reciproke por jo pa dhimbje për Kosovën.
''Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është qenësore për Kosovën që ta realizoj potencialin e saj të plotë dhe në plotëni të integrohet në institucionet Euro-Atlantike. E di që arritja e këtij qëllimi kërkon fleksibilitet dhe kompromise të vështira. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë partneri juaj në çdo hap'', thuhet në letrën e Joe Biden.
Aleanca amerikano-kosovaro sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, pritet të rritet në disa fusha kjo derisa nga Institucionet e Kosovës pritet kryerja e detyrave të shtëpisë.
''Unë pres që të punoj me ju në prioritet e përbashkëta për Kosovën, në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike dhe fetare, rindërtimin nga pandemia COVID 19 si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik e sigurimin e një të ardhme të qëndrueshme të energjisë'', shkruan presidenti amerikan.
Në letër, kryetari i Amerikës tregon se Osmani i shkruajti atij qysh më 19 mars, derisa ishte akoma ushtruese e detyrës së presidentes dhe i kërkoi furnizim me vaksina anti Covid-19.
Amerika është kampione në vaksinimin e popullatës së saj, gjersa Biden thotë se shteti i tij ka ndarë 4 miliardë dollarë për të ndihmuar mekanizmin Covax përmes të cilit Kosova mori dozat e para të injektimit.
''Derisa ne këtu në Shtetet e Bashkuara po e shtojmë furnizimin me vaksina, po ashtu ne po shqyrtojmë mundësitë për të punuar me partnerë për të ndarë atë që mundemi. Ekipi im do të mbetet në kontakt me ju ndërsa zhvillohen këto përpjekje''.
Pos për çështjet bilaterale në letrën e dërguar në Presidencë, Joe Biden shkruan dhe për lidhjen e personale me Republikën e Kosovës.
Ai thotë se për familjen Biden vizita në Kosovë e zhvilluar më 2016 kur u përurua rruga Ferizaj-Gjilan që mban emrin e djalit të tij të ndjerë Beu Biden, do mbetet gjithmonë ditë speciale.
Beu Biden që vdiq nga kanceri në tru më 2015, kishte shërbyer në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës kjo në kuadër të Departamentit amerikan të drejtësisë.