Lajmet e fundit

Ardhja e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden në Kosovë, është sbhoqëruar me takime e fjalime, ku dha mesazhe për kosovarët, e po ashtu tha se Amerika krenohet me ta.
Gjatë fjalimit të tij në përurimin e rrugës në afërsi të kampit ushtarak amerikan “Bondsteel” në Ferizaj me emrin Beau Biden, nënkruyetari është shprehur emocional e tha se edhe ai edhe i biri i tij, kishin rënë në dashuri me Kosovën.
“Po mendoja rrugës për këtu, se ishte viti 2001 kur erdha në Bondsteel me të birin tim dhe u takuam me ju në Prishtinë. Ju e keni bërë krenar çdo amerikan me punën tuaj për demokracinë. Beau pati rënë në dashuri me Kosovën, në dashuri kam rënë edhe unë me këtë vend të mrekullueshëm”.
“E kam vizituar këtë rajon shumë herë kur isha senator dhe vizita ime e parë ishte në mesin e viteve të 70-ta. Kam besuar shumë thellë në popullin e Kosovës. Por njëra ndër vizitat më domethënëse ishte ajo në janarin e vitit 2001, kur Bondsteel po ndërtohej”, ka deklaruar Biden, i cili bri me dije se kjo është vizita e tij e tretë në Kosovë.
Ai gjatë kësaj vizite në Ballkan, pasi vizitoi edhe Serbinë të martën, u takua me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi.
Gjatë një konference për media, Biden pati shumë mesazhe për Kosovën, duke porositur qeverinë ta luftojë korrupsionin, të përfundohet cështja e Asociacionit të Komunave Serbe dhe e Demarkacionit me Malin e Zi, të ndalet dhuna në institucione dhe po ashtu të vendoset sundimi i ligjit e transparenca.