Lajmet e fundit

Besnik Tahiri i cili është anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet sot dhe se kufiri në ems dy pjesëve të qytetit të Mitrovicës tashmë është i përcaktuar që nga viti 2008.
“Kufiri në mes të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut është i përcaktuar në mënyrë shumë të qartë në aspektin ligjor dhe formal. Ligji për kufijtë administrativ të komunave i miratuar me 20 shkurt të vitit 2008 e përcakton shumë qartë se kufiri në mes të këtyre dy komunave duhet të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhodollit”.
Sipas tij Beogradi po tenton që përmes ndarjes përgjatë vijës së lumit të hyjë në tokat e qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës.
“Beogradi po synon që përmes ndarjes përgjatë vijës së lumit të bëjë ndarje gjeografike në kurriz të qytetarëve shqiptar të Mitrovicës. Qasja e Beogradit është puro politike dhe synon që duke mos e zbatuar një marrëveshjeje shumë minimale të sabotojë zbatimin e marrëveshjeve tjera për të vazhduar me agjenda të tjera sigurisht jo në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës. Poashtu, synimi tjetër është hapja e Dokumentit të Ahtisaarit në mënyrë që të defunksionalizohet edhe me shumë vendi ynë”, është shprehur Tahiri në rrjetin social Facebook.
Tahiri si ekspert i Qeverisjes Lokale ka dhënë edhe një alternativë se cila duhet të jetë zgjidhja dhe cili është roli i komunës në këtë çështje.
“Komuna e Kryetari i saj Agim Bahtiri, nuk mund ta ndryshojë kufirin administrativ. Kufijtë administrativë të komunave mund të ndryshohen vetëm sipas nenit 10 të këtij Ligji. Çfarëdo trysnie që bëhet ndaj komunës është humbje kohe në këtë drejtim.
“Komuna dhe Kryetari i saj ka të drejtë të nënshkruajë memorandume për bashkëpunim ndërkomunal për çështje të tjera, shkëmbim të projekteve në fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, kulturës etj, por jo për ndryshim të kufinjve. Kufijtë mund t’i ndryshojë vetëm kuvendi i Kosovës”.
“Zgjidhja prandaj është e thjeshtë. Brukseli zyrtar duhet të bëjë trysni serioze ndaj Beogradit që Kryetari i Komunës Mitrovicë e Veriut të nënshkruajë lirimin e Urës së Ibrit dhe të lejohet qarkullimi i lirë i qytetarëve të Mitrovicës. Po qe se kjo gjë nuk ndodh sot në mesditë, kur kalon afati shtesë i dhënë nga Brukseli dhe Ëashingtoni, dialogu në Bruksel më nuk ka kuptim”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në Facebook.