Lajmet e fundit
Lëvizja BESA ka vendosur që të organizojë një marsh protestues në shenjë proteste për gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë. Është vendosur që marshi të mbahet të shtunën më 13 qershor në orën 17.00.

Në një konferencë për gazetarë të mbajtur sot në selinë e partisë, kryetari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka shpjeguar se marshi ka karakter gjithëshqiptar dhe Lëvizja BESA është vetëm iniciator i këtij marshi.
“Për këtë arsye marshi nuk do të ketë emblemë partiake të Lëvizjes BESA. Madje, edhe motoja qendrore e këtij marshi është lënë të vendoset me konsensus të të gjithë organizatorëve”, ka deklaruar Kasami.
Kjo Lëvizje iu bën thirrje publike të gjithë sepektrit politik shqiptar që të bashkohen në këtë marsh dhe ta formojnë një këshill të përbashkët organizativ.
“Në atë Këshill, Lëvizja BESA do të jetë vetëm një zë dhe vetëm një votë. Ne gjykojmë se sot është momenti historik që t’i lëmë pas vetes interesat grupore, partiake a të tjera dhe të bashkohemi në mbrojtje të interesit shqiptar në Maqedoni. Për këtë arsye ditëve në vijim ne do të jemi në kontakt me të gjitha këto subjekte dhe personalitete, gjithë kjo me qëllim që të arrijmë një unifikim më të madh të faktorit shqiptar në Maqedoni”, ka deklaruar Kasami, transmeton Zhurnal.mk