Lajmet e fundit

Zafir Berisha nga grupi parlamentar i NISMA-s në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ishte e papranueshme që ta miratonte deklaratën e përbashkët me pozitën, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.
Gjatë një interviste në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Berisha ka deklaruar se dështimi për ta aprovuar këtë letër, kishte ardhur pasi pozita si kishte pranuar propozimet e palës opozitare.
“Letra ka pasur përmbajtje, por sot ishte një tendencë të imponohet ajo ashtu siç kishte ardhur “bllanko”, por ishte e papranueshme për Opozitën. Nuk u pajtuam, sepse gjithçka që ne propozuam ata (partitë në pushtet) ishin kundër, ata thjesht dëshironin të thirreshin në deputetë, por të vendosin siç donin ata, prandaj ne nuk pranuam të futemi brenda agjendës së tyre”, ka thënë Berisha.
Ai ka deklaruar se partitë opozitare përfshirë Nismaën, janë të gatshëm që t’i gjejnë rrugëdalje problemit që ka shkaktuar Demarkacioni me Malin e Zi, por ka thënë se faktet që ka opozita janë më të fuqishme se ato të Komisionit Qeveritar për Demarkacionin.
“Nisma ka qenë që t’u bëjmë me dije mekanizmave Europianë se ne jemi të gatshëm ta zgjidhim çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, por natyrisht duke pasur parasysh se ne, opozita, qytetarët dhe ekspertët e pavarur kemi fakte më të qëndrueshme se Komisioni Qeveritar. Tashmë dihet se Qeveria ka dashur ta kontrabandojë këtë çështje. Gjithsesi, ka mbetur që të diskutohet tutje në mbledhjen e radhës së kryesisë”.
Ai ka thënë se ideja e letrës është që të tregohet që me Malin e Zi kontesti mund të zgjidhet vetëm me mjete politike dhe demokratike.