Lajmet e fundit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të mundshëm të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ky është një projekt serb dhe se është jashtë çdo lloj koncepti evropian. Po ashtu ai ka akuzuar politikanët shqiptarë që po bëjnë thirrje për këtë ide, madje i ka quajtur argatë të Serbisë.
“Kjo është jashtë çdo lloj koncepti evropian, jashtë çdo koncepti të realitetit. Problemet e Ballkanit nuk janë minoritetet por janë mazhorancat, dhe të përdoren minoritetet si plaçkë tregu është absolutisht jo njerëzore dhe e dënueshme”, deklaroi Berisha në një emision televiziv në Shqipëri.
“Pse e ka Serbia dhe Rusia këtë përqendrim të madh në Mitrovicë? Serbia e Madhe është parimi. Kjo është simbolika sepse ai kërkon të krijojë precedentin në Mitrovicë që të marrë Republikën Srpska në Bosnje.”
“Marrëveshje e cila është një projekt serb dhe tani një apo dy-tre argatë të Beogradit kanë marrë flamurin dhe ua shesin shqiptarëve, sikur janë budallenj pa memorie politike, si projekt të tyre. S’mund tua shesin kurrë këtë", tha mes tjerash ish udhëheqësi i shtetit shqiptar.