Lajmet e fundit

Departamenti Amerikan i Shtetit të mërkurën ka shpallur person non-grata ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjen e tij të ngushtë.
Kështu atyre nga tash nuk do t’u lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
''Në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë'', thuhet në njoftimin e DASH.
Sekretarit të DASH, Antony Blinken, përgjigje përmes rrjetit social facebook i ktheu i apostrofuari.
Sali Berisha mohoi akuzat, derisa ftoi amerikanin të publikojë çdo fakt apo dokument që dëshmon të kundërtën, njofton Klan Kosova.
''Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni. Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit'', shkruajti Berisha në profiling e tij zyrtar.
Në listën e zezë të shtetit më të fuqishëm në botë, janë edhe një pjesë e ish drejtuesve të ushtrive çlirimtare në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoninë veriore, veçse ndalesat për ta lidhen me të kaluarën radikale.