Lajmet e fundit

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka sugjeruar presidentit Bujar Nishani të marrë të gjitha masat për të shprehur qëndrimin e tij ndaj asaj që e quajti “grusht kushtetues”. Në përfundim të seancës parlamentare, Berisha ka kërkuar shkrirjen e Parlamentit dhe për këtë i ka kërkuar konsultim grupit parlamentar demokrat.
“Presidenti i Republikës nuk ka prerogativa kushtetuese. Në Kushtetuta të tjera presidenti është përmbaruesi i vendimit të Gjykatës Kushtetutese, kjo nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Por presidenti duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët më të mirë të vendit për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetues. Në këto kushte Parlamenti meriton vetëm një qëndrim, shkrirjen e menjëhershme të tij”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, në kushtet kur Parlamenti ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, "grushtin e shtetit", ai nuk meriton të ekzistojë më. "E ftoj opozitën të marrë të gjitha vendimet, sepse një situatë e tillë është kazmë në themelet e shtetit. Imagjinoni ju se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj gjykate, që në të drejtën kushtetuese janë të barabarta me normat kushtetuese”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar më tej se opozita do të vazhdojë t'i qëndrojë vendimit të saj për protesta qytetare. “Këtë parlament mund ta shkrijnë vetëm qytetarët shqiptarë, e shkrin vetëm sovrani”, ka shtuar ai, përcjellë Klan Kosova.