Lajmet e fundit

Në konferencën e prezantimit të kandidatëve, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, konfirmoi koalicionin me LSI-në. Ai tha se kandidatët e tij do të regjistrohen në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e Shqipërisë më 6 mars, ndërsa konfirmoi se pjesë e këtij koalicionit është edhe LSI-ja.
“Kandidatët do të jenë pjesë e një koalicioni. Pa diskutim, LSI-ja do të jetë. LSI-ja është pjesë e këtij koalicioni dhe po shikohen modalitetet që përcakton ligji. Jemi në negociata edhe me parti të tjera. Koalicioni do të quhet 'Shtëpia e Lirisë'”, tha ai.
Më tej, Berisha u shpreh: “Edi Rama ka konfiskuar me një akt madhor kriminal politik siglën e PD-së. Ne e konsiderojmë të konfiskuar dhe qëllimi më madhor ishte që ne të mos merrnim pjesë në këto zgjedhje. Ne marrim pjesë në zgjedhje, sepse bojkoti nuk është opsion për ne.
Do të ketë një marrëveshje me një koalicion në përputhje me ligjin dhe në atë marrëveshje do të paraqitet edhe logoja, të cilën çdo shqiptar e ka të qartë, që logon tonë të vërtetë e ka konfiskuar Edi Rama”./Opinion