Lajmet e fundit

Zafir Berisha nga Grupi Parlamentar i NISMA-s për Kosovën, po konsideron se Presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, kanë logjikë të sëmurë.
Në një intervistë dhënë për emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Berisha ka deklaruar se debati mbi vizitën e Edi Ramës në Serbi, ishte i panevojshëm dhe ai si Kryeministër i Shqipërisë, e ka për detyrë që të kujdeset për shqiptarët edhe jashtë kufijve të shtetit të tij.
“Ky debat tani më së paku është dashur të hapet, por këtu po del që Enver Hoxhaj me qëllim e ka hapur këtë debat të panevojshëm, kur ne kemi shumë çështje tjera me të cilat duhet të merremi dhe të debatojmë".
“Nëse dikush nuk e di, po e rikujtoj atë që e kam thënë edhe në intervista të tjera: se Edi Rama si kryeministër ka përgjegjësi kushtetuese që të interesohet rreth shqiptarëve jashtë ‘Shqipërisë londineze’ dhe unë nuk besoj se ka bërë ndonjë gabim. Përjashto këtu logjikën e sëmurë të zyrtarëve të politikës së jashtme, në këtë rast të Enver Hoxhës dhe Hashim Thaçit të cilët vuajnë nga ajo sëmundje e krenarisë individuale se ne jemi boshti i gjithë shqiptarëve”, ka deklaruar Berisha gjatë intervistës.
Berisha ka theksuar se Rama në Serbi, ka dhënë deklarata të cilat politikanët kosovarë nuk po i thonë asnjëherë.
“Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë siç e thash ka përgjegjësi kushtetuese për këtë çështje dhe në fund të fundit edhe nuk ka bërë ndonjë ndërhyrje të madhe, ai thjeshtë i ka thënë disa të vërteta që qëndrojnë. Mundësinë e ka pasur që t’i thotë në Beograd, që përfaqësuesit tonë s’i kanë thënë dhe s’munden t’i thonë, jo vetëm në Beograd, por as në Bruksel dhe politika jonë e jashtme është dështim për Kosovën”, është shprehur Berisha.