Lajmet e fundit

Megjithëse tashmë është shpallur fituesi për Bashkinë e qytetit të Beratit, ende nuk ka një rezultat zyrtar. Kandidati i ASHE-së, Petrit Sinaj fitoi ndaj rivalit të tij të APPD-së Kasem Mahmutaj me rreth 2 mijë e 500 vota më shumë.
Mirëpo në këtë bashki ende nuk është shpallur rezultati zyrtar. Shkak për këtë janë bërë katër kuti, të cilat janë kontestuar nga komisionerët e Partisë Demokratike për parregullsi në mjetet e sigurisë. Sipas tyre në këto kuti kishte pulla të dëmtuara dhe mungesë procesverbali. Kjo ka bërë që ata të cilësojnë procesin e votimit si të manipuluar, duke kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vëzhguesve të huaj.
Me gjithë kontestimet procesi i numërimit në KZAZ-në e Beratit për zgjedhjet e kandidatit nuk është ndërprerë. Katër kutitë u lanë mënjanë dhe u prit një vendim nga KQZ-ja, raportojnë mediat shqiptare.
Në fund u vendos që ato të numërohen nga komisionerët e KZAZ-së përkatëse, duke u bërë edhe kontrolli i nevojshëm, e procesi nuk ka përfunduar ende, pasi komisionerët kanë nisur të vazhdojnë procesin e numërimit për Këshillin Bashkiak, i cili sipas raportimeve ka ecur me ritme të ngadalshme.