Lajmet e fundit

Partitë opozitare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA, sot do të mblidhen në sheshin e Prishtinës, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë në krye me Isa Mustafën, pasi sipas opozitarëve kjo qeveri po dështon vazhdimisht dhe vetëm po i bën dëm Kosovës.
Kjo protestë që opozita e ka quajtur “gjithë-popullore”, vjen pas disa tubimeve masive të përkrahësve të opozitës, moslejimit të zhvillimit të seancave parlamentare nga deputetët duke hedhur gaz lotsjellës, në kundërshtim të marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës ka lidhur me Serbinë – Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe – dhe me Malin e zi – Marrëveshja për Demarkacionin.
Protesta e të shtunës është e para për vitin 2016, pasi me 23 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese u deklarua se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.
Analisti politik Behlul Beqaj, thotë se protesta e thirrur nga opozita në kërkim të dorëheqjes së qeverisë e përbërë nga koalicioni "Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës", mund edhe të eskalojë, duke pasur parasysh nivelin e pakënaqësisë që ekziston në mesin e protestuesve.
“Duke marrë parasysh se janë nisur plot autobusë për në kryeqytet dhe pakënaqësinë e masës, probabiliteti është shumë i madh që kjo protestë të shpërthejë në dhunë”.
Që nga shtatori i vitit 2015, e deri në fund të atij viti, Kosova nuk ka pasur normalitet politik me bllokim të vazhdueshëm të punës së kuvendit, arrestime të deputetëve opozitarë, veprime këto të policisë që u shoqëruan me protesta të dhunshme të aktivistëve të opozitës nëpër rrugët e Prishtinës.
Ndonëse ka pasur përpjekje për të rikthyer qëndrueshmërinë në institucione si nga ana e presidentes Atifete Jahjaga e po ashtu edhe nga kryeministri Isa Mustafa që po kundërshtohej në vazhdimësi nga opozita, nuk ka pasur asgjë konkrete që do qonte në stabilizim.
Ndërsa për protestën e organizuar sot nga partitë opozitare, Beqaj thotë se nuk do t’i bëjë asgjë të mirë situatës politike në vend, mirëpo vetëm sa do ta përkeqësojë.
“Protesta e thirrur sot nga opozita nuk i kontribuon stabilizimit të situatës, vetëm sa e përkeqëson dhe shkakton destabilitet. Kjo do të ketë sigurisht ndikim edhe në qeveri”, është shprehur Beqaj për Klan Kosova.