Lajmet e fundit

Profesori i Shkencave Politike dhe publicisti, Belul Beqaj, ka promovuar librin e tij të fundit “Kur do të pajtohen shqiptarët dhe serbët”, në Çagllavicë, pasi që më herët e kishte prezantuar edhe në Beograd, Serbi, njofton Klan Kosova.
Në këtë promovim të pranishëm kanë qenë shumë personalitete nga pala shqiptare e serbe. Momcillo Trajkoviq, Kryetar i lëvizjes serbe të rezistencës, ka thënë se dialogun për shqiptarët e serbët shumë para se ta bënin politikanët e kishte bërë ai me Beqajn. “Elita politike shqiptare ishte e anashkaluar mirëpo me propozimin e drejtorit të një televizioni gjerman ne u takuam dhe ishte interesante sa largpamës ishim". “Janë në konflikt dy filozofi të ndryshme mirëpo me hyrje në Bashkim Europian mund të fillojë pajtimi”, ka thënë Trajkoviq. Kurse Gëzim Baxhaku ka deklaruar se “Beqaj gjithmonë ka folur atë që e ka menduar”. “Në esencë libri propozon rrugën që duhet ndjekur për pajtimin e këtyre dy kombeve, kombet më të mëdha në Ballkan. Një pjesë e elitës politike veçanërisht ajo me Serbinë po behët problem për rregullimin e këtyre marrëdhënieve”, ka deklaruar Baxhaku. “Kjo kthen mbrapa proceset dhe rrugën e pajtimit - ministrat serbë në qeverinë e Kosovës më shumë janë bërë zëdhënës të Serbisë se sa përfaqësues të interesave të serbëve në Kosovë”. Vet Beqaj ka thënë se libri i tij është një kontribut minimal për pajtimin e dy popujve dhe një shfajësim për gjeneratat e ardhshme për të treguar se hapa drejt pajtimit megjithatë janë tentuar, njofton Klan Kosova. “Ne definitivisht nuk mund ta zgjidhim të kaluarën, mirëpo ardhmëria varet nga ne. Me këtë libër kam dashur që të kontribuoj për gjeneratat e ardhshme që të mos gjykojnë se nuk kemi bërë asgjë për t’u pajtuar”, ka thënë Beqaj. “Për fat të keq kemi më shumë gjëra që na ndajnë se sa që na bashkojnë. Kjo e shtynë procesin e pajtimit. Nuk mund të thyejmë mitin për Kosovën nëse krijojmë mitin se serbët nuk mund të ndryshojnë”. Libri i Beqajt “Kur do të pajtohen shqiptarët dhe serbët” është vetëm në gjuhen serbe, por pritet të vijë edhe në shqip.klankosova.tv