Lajmet e fundit

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi gjatë fjalës së tij në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë solli në vëmendje nismën e firmosur nga 10 deputetë të kuvendit për ndryshimet kushtetuese në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet nga populli.
Sipas Blushit duke ia dhënë presidentin popullit, i cili sipas tij ka filtra më të mirë se gjithë deputetët e kuvendit, interesi publik mbrohet shume herë më mirë se sa nga partitë e vjetra, të cilat sipas Blushit duke zgjedhur presidentit me 72 vota kërkojnë vetëm të bëjnë pazare me të.
“Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Interesi publik mbrohen më mirë nga miliona zgjedhës sesa nga 140 deputetë. Shumica e demokracive perëndimore e zgjedhin presidentin me votë direkte. Ne e kemi mbështetur këtë amendament me bindje se ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi nuk ka pse të mos prekin çështjen e presidentit të republikës. Nuk flasim për kompetencat e presidentit dhe formën e republikës sonë, që është parlamentare. Shumë në këtë sallë nuk dua që presidenti të zgjidhet nga populli.
Ne që kemi firmosur duam që presidenti të jetë jashtë palëve dhe mbi palët. Ato janë tre partitë e vjetra: Rilindja, PD, LSI. Ata kanë një mundësi që me zgjedhjen e presidentit të bëjnë një pazar, zgjedhja me 71 vota është shumë e thjeshtë. Zgjedhja me 71 deputetë tregon se sa respekt kanë partitë për presidentin”, tha Blushi./ Top Channel