Lajmet e fundit

Në Panairin e Librit në Prishtinë, shkrimtari Ben Blushi paraditen e sotme e rezervoi për lexuesit e tij.
Autori i librit “Komploti” bisedoi me lexuesit e tij, që ishin goxha në numër, raporton Klan Kosova.
Blushi, megjithatë u zhgënjye me faktin se, siç u shpreh, në panair ka shumë libra e pak lexues.
Ndonëse libri i tij i fundit është shitur shumë edhe në Kosovë, sikurse në Shqipëri, Blushi thotë se të rinjtë po lexojnë pak.
Megjithatë, Blushi porositi se libri mbetet lidhja më e mirë mes njerëzve.
“Gjuha e shkruar dhe e folur ka qenë lidhja më e fortë mes shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, edhe kur dy shtetet kishin kufi edhe politikë, gjuha nuk ka pasur kufi kurrë, ajo i kapërcen kufijtë e muret. Tash është më lehtë, s’ka kufi”, deklaroi shkrimtari.
Këto ishin pak a shumë edhe çështjet që lexuesit donin t’i diskutonin me shkrimtarin.
Veçse vëmendje të madhe këta i dhanë “Komplotit”.
Dikush donte që ky të mos ishte takimi i vetëm me të.
Kjo dëshirë edhe mund të iu plotësohet lexuesve kur shkrimtari shqiptar të publikojë librin e ardhshëm, pasi siç tha, pjesën më të madhe të kohës po ia kushton letërsisë. /Klankosova.tv