E hëna e 30 korrikut do të mbahet mend gjatë nga artdashësit. Sot u shua një nga regjisorët më të mirë kosovarë, Bekim Lumi.
Kalimi në amshim i Lumit ka prekur thellë komunitetin artistik, por më së rëndi këtë moment po e përjetojnë ata që e njohën nga afër dhe punuan me të.
Për dramaturgun Arian Krasniqi, Bekim Lumi ka qenë dhe mbetet emblemë e teatrit bashkëkohor shqiptar.
“Si regjisor teatri, me krijimtarinë e tij, shënoi një kthesë të madhe në regjinë teatrore të vend, duke na sjellë shfaqje me koncepte, ide dhe qasje krejtësisht origjinale, moderne dhe skajshmërisht artistike. Me shfaqjet e tij, Lumi bëri që regjia kosovare dhe ajo shqiptare në përgjithësi të përjetojë një reformizëm dhe avancim të madh si në formën artistike ashtu edhe në përmbajtjet konceptuale”.
Vlerësim të veçantë ka edhe aktori Fatmir Spahiu.
“Bekim Lumi është ndër personalitetet më të rëndësishme në zhvillimin e jetës teatrore në Kosovën e pasluftës. Ndarja e tij nga kjo jetë lë një boshllëk gati të pariparueshëm. Pa Bekim Lumin, teatri shqiptar do të jetë më i varfër”.
Kur tashmë profesori, miku dhe kolegu i tij nuk jeton, Krasniqi ka rrëfyer disa kujtime.
“Kemi bashkëpunuar ngushtë sidomos në botimin e revistës së vetme për teatrin ‘Loja’, si dhe menaxhimin e Teatrit të tij Laborator “LOJA”. Udhëtimin e fundit jashtë vendit me të e kemi bërë në vitin 2015 në Falmouth (Mbretëri e Bashkuar), në një Konferencë Ndërkombëtare për Teatrin Eksperimental. Edhe pse na u desht t’i ndërrojmë disa avionë dhe udhëtimi ishte i gjatë, gjithçka shkoi mirë dhe mbarë. Kur mbërritëm në destinacion më tha: ‘Gjithë jashtë kam me udhëtu me ty, se e paske kambën e lehtë’”.
Aktori Spahiu ka punuar në tri shfaqje me regjisorin Lumi, role të cilat ai thotë se janë më të mirat në gjithë karrierën e tij.
“Unë kam pasë fatin të jem aktor në tri vepra të punuara nga ai: ‘Galani’ i Mrozhekut, produksion i teatrit ‘Dodona’, pastaj ‘Arushani” dhe ‘Fejesa’ nga Çehovi, produksione të Teatrit Kombëtar... Këto tri role i rreshtoj ndër ato më të realizuarat dhe natyrisht kjo për meritë të Bekimit dhe qasjes së tij autoritative në interes të procesit”.
“Beka”, ashtu siç e thërrisnin miqtë e tij, ia kishte kushtuar jetën teatrit. Për teatrin kishte folur pak javë para vdekjes me mikun e tij, Arian Krasniqin, për të cilin kishte edhe një nofkë interesante.
“Për herë të fundit e pashë në Teatrin Kombëtar, pak javë para se të vdiste. Folëm me plot pasion për teatrin, gjuhën standarde dhe gegnishtën në teatër. Në diskursin e komunikimit miqësor shpesh më drejtohej me emrin e personazhit të filmit vizatimor, "Atomski mrav" (në gjuhën serbe), ose në gjuhën shqipe, “Bubrrec atomik”. Do të më mungojë shumë në komunikimin e vazhdueshëm që e kishim”.
Për çka do të mbahet mend Bekim Lumi, regjisori dhe profesori i regjisë në Fakultetin e Arteve?
“Bekim Lumi është i papërsëritshëm. Artist me plotkuptimin e fjalës. I veçantë dhe aspak i ngjashëm me tjerët. Kishte natyrë altruiste, asnjëherë nuk u ysht nga aspekti material. I lumi ai që la pas vetes shfaqje emblematike të teatrit bashkëkohor shqiptar".
"Do të mbahet në mend si regjisori më inovativ dhe më avangard i teatrit shqiptar, si pedagogu që shkriu edhe atomin e fundit në edukimin e artistëve të rinj dhe si njeriu temperament që asnjëherë dhe në asnjë moment nuk bëri kompromis me bindjet e tij artistike”, ka thënë Krasniqi.
Derisa Spahiu uron që një ditë në Kosovë të ketë një Bekim Lumi të ri.
“Bekimi na la një trashëgimi të madhe, uroj të kujtohet dhe të ndiqet si shembull. Mua Bekimi do të më mungojë. Uroj dhe shpresoj që dikush nga studentët e tij të jetë një Bekim i ri”.
Bekim Lumi është lindur më 17.12.1966. Krijmtaria artistike e tij numëron një numër të madh të shfaqjeve, të shfaqura si brenda Kosovës, ashtu edhe jashtë saj.
Ai konsiderohet se është një nga regjisorët më të mirë kosovarë derisa shfaqjet e realizuara nga ai vazhdimisht janë cilësuar pozitivisht nga kritika.
Në 20 vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, regjisori Lumi, në qershor të këtij viti dha premierën e shfaqjes së tij që rezultoi të jetë edhe e fundit, “Arturo Ui”, që erdhi në përvjetorin e 120-të të lindjes së autorit të saj, Bertolt Brecht.
Kjo shfaqje kishte edhe një kuptim për regjisorin. Ai zgjodhi pikërisht që me këtë shfaqje të falenderojë të gjithë artistët e kolegët e skenës teatrore, muzikore dhe filmike të cilët organizuan një fushatë për t’i ndihmuar me shpenzimet për shërimin nga kanceri, sëmundje që vuante tash e sa kohë.
https://www.youtube.com/watch?v=iaOwu9_ziRg
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.