Lajmet e fundit

Lajmin se një ditë ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ftohen nga Gjykata Speciale e kishte ditur.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se kjo gjë iu bë e qartë në momentin që deputetët e Kuvendit e votuan themelimin e kësaj gjykate, njofton Klan Kosova.
Pavarësisht kësaj Jashari thotë se lufta e UÇK-ës ishte e pastër dhe e drejtë.
"Uroj që të na kthehen fitimtarë dhe faqebardhë, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e dalë nga gjiri i popullit dhe nga shtypjet dhe represioni i regjimit të Beogradit, një shekullit të tërë. Pse duhet të gjykohet viktima? Ne shqiptarët kemi qenë viktimë".
Në këto ditë kur ish ushtarët po ftohen nga Specialja, Jashari kërkon që populli dhe partitë politike të jenë të bashkuar.
"Kërkoj edhe nga institucionet edhe partitë politike, por edhe nga qytetarët që të tregojnë maturi dhe të jemi të bashkuar. Pa marrë parasysh se a e kemi dashur, zotëri Thaçi ka qenë president i Kosovës deri në momentin që ka dhënë dorëheqje", është shprehur Jashari.
Jashari bëri të ditur se pas dërgimit në Hagë të ish presidentit Thaçit dhe Kryetarit të PDK-së Kadri Veselit do t'i vizitojë familjarët e tyre.