Lajmet e fundit

Behxhet Pacolli është shprehur se sot ka ndodhur zhgënjimi i radhës pasi sipas tij sot është raportuar në krejt mediat botërore për gjendjen e spitaleve në Kosovë.
“Raportimet për situatën në sektorin e shëndetësisë në Kosovë janë pothuajse të njëjta me raportimet për situatën ambientale që informon publikun ndërkombëtar për, ambientin e shkatërruar të Kosovës, gjegjësisht për kulturën që jemi duke i treguar botës. Në spitalet tona dominon kaosi, papastërtia, dhe ndotja çdokund (mbeturinat rreth spitaleve, qen dhe mace të ngordhura etj.), spitalet me fasadat katastrofale, rrugët dhe akseset nëpër këto spitale të mbushura me mbeturina spitalore, pa trotuare me hyrje të përlyera e shkallë të shkatërruara, spitale pa asnjë logjistikë dinjitoze, personel fare pa ose me rroba të ndyta, instrumente jo funksionale të hedhura kudo etj., etj., etj”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shtuar se ditë më parë ka reaguar për ambientin sipas tij të shkatërruar në Kosovë duke u shprehur se mediat ndërkombëtare më pas kanë bërë një ndërlidhje mes kulturës dhe ambientit, transmeton Klan Kosova.
“Disa ditë më parë, kur edhe unë reagova për ambientin e shkatërruar në Kosovë (malet e shkatërruara nga minierat e gurthyesit ilegalë, fushat pjellore të shkatërruara, lumenjtë pa ose me shtretër të shkatërruar e me plot mbeturina, mbeturinat çdokund, keqmenaxhim të qyteteve tona që po bëhen të pajetushëm çdo ditë e më tepër), mediat ndërkombëtare bënin një relacion mes këtyre dukurive (ambientit të shkatërruar) dhe kulturës tone”.
Në fund Pacolli ka thënë se kjo është edhe një shenjë për kulturën dhe mospërgjegjësinë e Qeverisë që sipas tij duhet të largohet sa më shpejt.
“Shtrohet pyetja, a mos vallë qytetarët me vetiniciativë dhe pa këtë qeveri do ta organizonin këtë më mirë, dhe kjo është edhe një dëshmi që kjo Qeveri duhet të lirojë vend sa më shpejt për shkak të mospunës, mosedukatës së tyre, Për kulturën e mospërgjegjësinë tuaj, qeveri, po krijoni imazh të keq për të gjithë qytetarët e Kosovës për çfarë i bëj thirrje kësaj Qeverie të japë dorëheqjen e të lirojë vend për ata që dinë e duan të punojnë. Ju nuk e doni Kosovën, jeni duke e shkatërruar atë dhe jeni bërë të padurueshëm. Ju nuk mundeni më të zhgënjeni qytetarin e Kosovës, ecni, ju lutem, se fëmijët tanë do t'ju mallkojnë. Merrni plaçkat e largohuni krejtësisht, populli do të ndërtojë perspektivën e vet shumë më mirë pa ju”.