Lajmet e fundit

Asnjë investim nuk është bërë në Komunën e Malishevës këtë vit nga Qeveria e Kosovës.
Kështu ka thënë për Klan Kosovën,Ragip Begaj, kryetar i kësaj komune që vjen nga Nisma për Kosovën.
Sipas tij, diskriminime të tilla po iu bëhen shumë kryetarëve që vijnë nga partitë opozitare.
Megjithatë ai ka thënë se komuna me të cilën udhëheq ka arritur të përmirësojë sistemin arsimor, dhe sipas tij kjo ka ndodhur edhe falë investitorëve të huaj siç është shteti i Norvegjisë.
Për këtë qëllim Komuna e Malishevës të mërkurën do të mbajë një aktivitet për të falenderuar Norvegjinë.
Ky shtet ka ndërtuar në këtë komunë Shkollën e Kompetencës e po ashtu ka renovuar disa shkolla tjera .
Investimi në Shkollën e Kompetencës ku mësojnë mbi 700 nxënës dhe janë punësuar afro 100 mësimdhënës është mbi 6 milionë euro.
Ndërkaq, mysafir në aktivitetin e sotëm do të jetë ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Brathu, njofton Klan Kosova.