Lajmet e fundit

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, e ka mirëpritur vendimin që Kuvendi i Kosovës mori të premten, për t’ia zgjatur mandatin misionit të BE-së për Sundim të Ligjit EULEX edhe për dy vjetët e ardhshme.
Kjo zyrë që përfaqëson BE-në në Kosovë, thotë se gjatë këtij mandati, Kosova e ka në dorë ta garantojë sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar.
“Në mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqë kjo do të merr kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani”.
Zyra me të cilën drejton Samuel Zhbogar, nëpërmjet një komunikate për media deklaron se Kosova tashmë ka bërë hapa të mëdhenj e të rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe përmend një marrëveshje si më kryesoren e kësaj rruge.
“Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në rrugën e saj evropiane, më e dukshmja me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin e Komisionit Evropian për udhëtim pa viza dhe normalizimin përmes Dialogut. EULEX-i ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me këto procese dhe me agjendën evropiane të Kosovës”
Po ashtu, BE-ja zotohet se do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e saj maksimale që të ndihmojë Kosovën në adresimin e sfidave në fushën e rëndësishme të sundimit të ligjit, raporton Klan Kosova.