Lajmet e fundit

Ministri i Financave Avdullah Hoti sot ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Zyrën e Bashkimit Evropian për Mbështetjen e mëtutjeshme institucioneve të Kosovës në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ky memorandum ka për qëllim përkrahjen 3 vjeçare të BE-së për institucionet e Kosovës në përforcimin e bashkëpunimit ndër-institucional, rajonal dhe më gjerë në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative, transmeton Klan Kosova.
Sipas këtij Memorandumi procesi në vazhdim do të karakterizohet me ndërmarrjen e aktiviteteve strategjike në vlerësimin e riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomik për ti adresuar ato nëpërmjet masave adekuate.
Bashkimi Evropian përmes projekti të saj “Mbështetje në luftimin e ekonomisë joformale, krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” vazhdon të përkrahë institucionet e Kosovës në avancimin e procesit, në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, korrupsionit, pastrimin e parave, dhe ekstremizmin e dhunshëm, proces ky i ndërlidhur ngushtë me integrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.