Bashkimi Europian nuk pajtohet që Kosova ta vendos Ambasadën e saj në Jerusalem ashtu siç u morën vesh të hënën e 1 shkurtit.
Me anë të një ceremonie virtuale Izraeli e Kosova e pranuan njëra-tjetrën si vende të pavarura e sovrane, njofton Klan Kosova.
''Ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon atë nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv. Kjo është në përputhje me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit Europian. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar'', deklaroi zëdhënësi për Politikë të Jashtme e Siguri në Union, Peter Stano.
Por, është një deputet austriak në Parlamentin e Europës që konsideron se njohja me Izraelin në asnjë mënyrë nuk ndikon në procesin e integrimit europian të Kosovës.
''Së pari ky pranim është diçka e madhe dhe së dyti secili vend vetëvendosë se ku do ta vendos ambasadën e tij. Marrëdhënia me shtetin hebre nuk ka ndikim formal në procesin e integrimeve europiane për Kosovën. Nga ana tjetër Izraeli është një nga partnerët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian'', tha për Klan Kosova, eurodeputeti Lukas Mandl.
Mandl, po ashtu deklaroi se sikur Izraeli duhet menjëherë të veprojnë pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian që akoma nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Këtë pesëshe e përbëjnë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia e Qipro.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
KK
SHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.