Lajmet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, në tentimin për të luajtur rolin e shpëtimtarit për dalje nga kriza politike, po vazhdon ta mbajë peng tërë procesin.
BDI duket se akoma nuk kanë vendosur për pjesëmarrje në zgjedhjet e 5 qershorit.
Pavarësisht se Ahmeti kishe këmbëngul për atë datë si e vetmja mundësi për daljen nga kriza politike, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani sot nuk përmendi 5 qershorin por vetëm nevojën për zgjedhje si dalje nga kriza, raporton Alsat-M, transmeton Klan Kosova.
“KSHZ mendon se ka kushte dhe ne mendojmë se ka kushte mirëpo vendimi i Ivanovit ka ndryshuar situatën në aspekt të dyshimit që ka krijuar komuniteti ndërkombëtar për kredibilitetin e zgjedhjeve. Ne jemi për respektimin e marrëveshjes së Shkupit për zgjedhje inkluzive ku do të marrin pjesë të gjitha partitë politike. Po bashkëpunojmë me të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje të tillë dhe nëse dështojmë atëherë do të shtrihemi në bazë dhe vendimin do e merr baza e BDI-së për rishqyrtimin e politikave tona”, tha Osmani.
Ai thotë se qëllimi parësor i tentativës për bisedime mes partive është që të nxirret vendi nga kriza.
“Ndërkombëtarët kërkojnë ne të krijojmë kushte preliminare ose bazike që ata të mund të kontribuojnë në qëllimet e tyre të sinqerta. Në mungesë të kapacitetit bazik tonë për të bërë kompromise, roli i tyre është i pamundshëm në këtë situatë ,prandaj dështoi edhe takimi i Vjenës. Ne duhet që të tregojmë kapacitet elementar për kompromis që ata të mund të ndërhyjnë që ne të dalim nga kjo krizë”, u shpreh Osmani.
Dy javë më parë vetë kreu i BDI-së Ahmeti në një prononcim për Alsat-M tha se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 qershor dhe të njëjtat do të nxirrnin vendin nga kriza politike. Lideri i BDI-së në një intervistë për “Der Standard” të Vjenës ka thënë se rifillimi i dialogut mes palëve nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos është rrugëdalja e vetme nga kriza politike.