Lajmet e fundit
Treshja sulmuese mbetet e paprekshme edhe nën urdhërat e Rafa Benitez.

Sikur edhe paraardhësi i tij, Carlo Anlcelotti, edhe Rafa Benitez e sheh treshen e famshme, Bale, Benzmema, Cristiano, ndryshe të njohur si BBC, si të paprekshme. Megjithatë, ai është duke menduar që të ndërrojë pak mënyrën se si veprojnë, duke e hequr Balen nga krahu.
Menaxheri do që të luajë pak me pozitat. Cristiano do të mbetet në pozitën që ka, megjithë spekulimet se ai do të mund të jetë ‘nënta’ e Realit. Sulmuesi kryesor do të mbetet Benzema, ndërsa Bale do të aktivizohet nga pozita e dytë, duke pasur kështu rol më të madh në sulmin e mbretërve, sesa pati nën urdhërat e Carlo Ancelottit.
Nën urdhërat e Benitez, uellsiani ka më shumë liri, siç edhe është parë në stërvitjet e fundit. Ai luan si sulmues i dytë pas Benzema, si mesfushor ofansiv dhe herë-herë edhe në krahun e majtë.
Nga ana tjetër, Benzema do të mbetet i paprekshëm, vija e fundit dhe rreziku permanent për portat kundërshtare edhe nëse klubi përforcohet me sulmues tjetër. Për këtë francezin e ka siguruar vet Benitez.
Dhe në fund, Ronaldo. Ditëve të fundit ai ka qenë i heshtur, por askush s’e dyshon përkushtimin e tij. Ai do të mbetet në krahun e majtë, por nga të tre, ai do të ketë më shumë detyra defansive.