Lajmet e fundit

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore ka bërë publike vlerësimet e saj mbi ecurinë e ekonomisë.
“Nëse do të vlerësoja performancën e ekonomisë shqiptare do të thoja që po, është e kënaqshme. Nëse shikon treguesit bazë dhe ambientin ekonomik në rajon shihet që Shqipëria ka një trajektore pozitive të rritjes ekonomike dhe punësimit. Këta janë dy tregues kyç”, deklaroi Taseen Sayed, drejtoreshë e BB.
“Rritja ekonomike është përshpejtuar dhe varfëria është ulur. Ne presim që rritja për këtë vit të jetë 3.5 për qind, e mbështetur nga rritja e konsumit privat”, sqaroi më tej Hilda Shijaku, ekonomiste pranë degës së BB në Tiranë.
Banka pret që rritja ekonomike të forcohet në 3.5% vitin tjetër, ndërsa borxhi publik të ulet më tej, teksa Serbia dhe Shqipëria janë vendet me uljen më të madhe të defiçitit buxhetor në rajon. Por ajo i tërheq vëmendjen qeverisë për rritjen e kredive të këqija.
“Ne rekomandojmë zbatimin e planit kombëtar për kreditë e këqija, veçanërisht dy pikave. Ndryshimin e ligjit për përmbarimin privat dhe së dyti i sugjerojmë autoriteteve të zgjidhin çështjen e 35 kreditorëve të këqinj më të mëdhënj, të cilët kanë gjysmën e kredive të këqija. Kjo është kritike”, nënvizoi Sayed.
E pyetur nga gazetarët, shefja e Bankës në Tiranë komentoi edhe dhunimin fizik të biznesmenit libanez Fadi Mitri. “Incidenti ishte fatkeq. Ne presim që qeveria të vazhdojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe në të njëjtën kohë të trajtojë çdo ankesë të investitorëve që janë duke investuar sakaq në Shqipëri”, shtoi Sayed, raporton TCH, përcjellë Klan Kosova.
Banka evitoi komentet për ndryshimin e fituesit në tenderin e rrugës Durrës-Kukës, ndërsa mbështeti projektin e Ministrisë së Financave për një amnisti fiskale.