Lajmet e fundit
"Pamjet e natyrës dhe imazhi shkëmbor të lënë pa frymë" raporton Daily Mail. Ky vend dikur i izoluar ka bukuri të rralla dhe kapacitetin të shndërrohet në njërin ndër vendet më të frekuentuara turistike gjatë verës. Gazeta e njohur britanike i ka bërë një reportazh ishullit të Sazanit në Jug të Shqipërisë.

Përderisa llogoret dhe tunelet e betonuara janë një dëshmi se sa shumë ka shpenzuar qeveria e asaj kohe duke u bazuar vetëm në dyshimin dhe frikën e një pushtimi të mundshëm, qeveria aktuale shpreson se perëndimorët do të vijnë ta vizitojnë ishullin Sazan për t’i parë plazhet e mahnitshme të rrethuara me male, si dhe të njihen me historinë e pasur që daton që nga Greqia Antike.
“Ky që dikur ishte i izoluar, një vend i paarritshëm, një mister për pothuajse të gjithë shqiptarët, mund të kthehet në një vend atraktiv, sidomos për turistët e huaj”, thotë Auron Tare nga Agjencioni Bregdetar Kombëtar i Shqipërisë.
Zyrtarët thonë se ky vend biodiversitar mund të tërheqë historianë dhe mund të bëhet destinacion i preferuar i zhytësve.
Idetë që ka Qeveria për zhvillimin e bazës së braktisur ushtarake janë kreative. Njëra ndër to është që tunelet e betonuara të kthehen në bodrume të verës, transmeton Klan Kosova.
Ishulli është vatër e disa llojeve të rralla të zogjve dhe zvarranikëve, kurse temperaturat bregdetare gjatë vitit luhaten nga 10 deri në 25 gradë.
Pamjet e natyrës dhe imazhi shkëmbor të lënë pa frymë.
Brenda ndërtesave të shkatërruara dhe të braktisura ka krevate të vjetra, enë kuzhine e madje edhe mjete shkollore. Por, çuditërisht, pjesa më e madhe e shkatërrimit ka ndodhur pasi Shqipëria u bë demokratike.
Edhe pse për funksionalizimin e kësaj qendre turistike para se të vizitohet nga turistët nevojitet energjia elektrike dhe uji i pijshëm, planet për Sazanin janë të mëdha.
Cili është hapi i parë?
Pa dyshim, vizita e ambasadorëve perëndimorë gjatë verës.
klankosova.tv