Lajmet e fundit

Kryetari aktual i Klinës që synon edhe një mandat, Sokol Bashota në Magazina Lokale në Klan Kosova ka folur për rrugët dhe parkingjet në këtë komunë.
“Parkingjet mund të jenë problem për secilin mjedis, disa rrugë në qytet janë një drejtimëshe ku edhe kemi lejuar parkimin”.
“Poashtu janë tre-katër vende ku ka parkingje private e ku nuk është kostoja shumë e madhe për qëndrim gjatë tërë ditës”.
“Këto parkingje me thënë të drejtën gati kurrë nuk janë plot pasi qytetarët e shfrytëzojnë edhe alternativën tjetër, të parkimit gjatë shtrirjes së rrugëve njëkahëshe”.
“Unë kam gjetur Klinën me 147 km rrugë të asfaltuara, derisa nga viti 2007 deri më sot, në Klinë, nga të hyrat buxhetore dhe donacionet, janë diku mbi 250 km rrugë të asfaltuara në qytet dhe fshatra”.
“Kur kam ardhur, kam pasur kërkesa për rrugë 10-15 km, sot bëhen kërkesa më së shumti deri 1 km sepse distancat janë shkurtuar”.
Bashota ka thënë se rrugët njëkahëshe në komunë do të jenë funksionale derisa ka shtuar se në sheshin e Klinës do të lejohet lëvizja e makinave.
“Edhe me ndërtimin e sheshit, makinat do të kalojnë përmes sheshit, sepse standardet e punimeve në shesh bëhen për të përballuar peshën e makinave”.
“Rrugët e qytetit njëkahëshe do të jenë funksionale për lëvizjen e qytetarëve”.
Kandidati i PDK-së që synon të marrë Klinën e që është edhe kryetar aktual, duke folur për administratën në këtë komunë, ka pasur shumë lëvdata për punën që është bërë.
“Unë tash si kryetar i Klinës, kam arritur që në shkallën më të mirë të mundshme të bëjë administratë funksionale që e prek qytetari secilën ditë”.
“Është administratë shumë funksionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, gjithsecili e kryen punën e tij, gjë që më herët ka lënë shumë për të dëshiruar”.
“Punësimi me kuadro të reja ka bërë të veten sepse tash është standardi i kualiteteve më të mira profesionale, jam i kënaqur me punën në administratën komunale”.
Bashota ka thënë se në komunën e Klinës punësimi nuk bëhet në baza partiake.
“Punësimi sikur në të gjitha komunat, bëhet me konkurs, dhe gjithmonë zgjedhet ai që është më i miri dhe plotëson kushtet”.
“Nuk e kam as edhe një rast që e kam ndëshkuar dikë mbi bazën e subjektit politik, kam punëtorë nga të gjitha subjektet politike”.
“Kam zyrtarë të LDK-së e AAK-së në vende kyçe, deri më sot në administratën komunale nuk është bërë asnjë shkelje mbi baza partiake”.