Bashkimi do të jetë nikoqir i Pejës në xhiron e javës së 14-të në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll.
Prizrenasit janë në vendin e dytë me nëntë fitore e katër humbje, ndërsa pejanët në vendin e tretë me shtatë fitore e gjashtë humbje.
Kjo përballje do të jetë tejet interesante, pasi në rast të fitores së Bashkimit, skuadra do ta marrë kreun, të cilin aktualisht e mban Trepça. Këtë ndeshje do të keni mundësi ta ndiqni nga ora 17:00 në platformën më të pasur televizive në vend,
Artmotion, në kanalin S1 dhe në Klan Kosova.
Takimi i dytë i së shtunës është mes Trepçës dhe Borës, që zhvillohet në palestrën “1 Tetori”. Kampionët janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pasur ngritje të formës, ku tashmë janë në vendin e shtatë me katër fitore e dhjetë humbje. Përballjen në fjalë mund ta ndiqni në S3 nga ora 19:00.
Sfidë shumë interesante pritet ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, të dielën në Gjakovë. Të dy skuadrat kanë nga gjashtë fitore e shtatë humbje, duke bërë që të presim një përballje mjaft interesante. Këtë ballafaqim do të mund ta ndiqni në kanalin sportiv S2 të platformës
Artmotion nga ora 17:00.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje dhe e fundit për këtë vit është ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit kanë tri fitore e 11 humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e gjashtë humbje. Kjo përballje vjen tek ju në kanalin S2 nga ora 19:00. /Klankosova.tv

●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.