Lajmet e fundit

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
Bëhet e ditur se vendimi për një projekt të tillë të rëndësishëm mbështetet në bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale dhe bëhet në konsultim me popullatën lokale. Për fat të keq, autoritetet lokale të Kosovës në fund dështuan në mbështetje të projektit.
“Projekti “Dizajnimi i Zhvillimit për Ruajtjen e Materialeve të Rrezikshme” ishte përfshirë në Planin e Veprimit të Mjedisit të Kosovës 2011-2020, në Strategjinë e Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave për vitet 2013-2022 dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve".
"Aksioni përfshinte ndërtimin e objekteve të magazinimit të mbetjeve të rrezikshme, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2010. Më pas, projekti ishte përfshirë në Instrumentin e BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) 2015. Qeveria duhet të siguronte që projekti për ndërtimin e deponisë së mbetjeve të rrezikshme do të miratohet nga Kuvendi Komunal".
"Qeveria fillimisht kishte identifikuar një parcelë toke brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq, të Fushë Kosovës, e cila më pas kishte rezultuar e papërshtatshme pas studimeve paraprake, për shkak të hapësirës së pashpërthyeshme dhe bunkerëve të vjetër, duke e bërë ndërtimin e deponisë të pamundur".
“Pas disa kërkesave nga BE-ja në Kosovë, një lokacion alternativ ishte identifikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Komunës së Fushë Kosovës. Kuvendi i Komunës e refuzoi ndërtimin e objektit në territorin e saj, duke e lënë BE-në në Kosovë pa zgjidhje përveç anulimit të projektit", thuhet në sqarimin e zyrës së BE-së, transmeton Klan Kosova.