Lajmet e fundit

Protesta e zhvilluar gjatë kësaj të marte në kryeqytet nga opozita ka kaluar mes tensionesh e ngjarjesh të dhunshme, të cilat janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, ashtu sikurse u dënuan edhe nga vet kryeministri Rama në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.
Megjithatë, e gjithë kjo ngjarje që kaploi kryeqytetin dhe paralizoi një pjesë të mirë të jetës së qytetarëve, disave prej frikës për dhunë e disave prej bllokimit në trafik të rënduar rrugor, ka edhe momentet që të rikthejnë disi humorin.
Për herë të parë në histori, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka ndërmarrë një masë ndëshkimore, pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së sotme, që zgjati vetëm 5 orë.
Në një tabelë, ku janë përpiluar një më një të gjitha dëmet e shkaktuara, kostoja e dëmit të vlerësuar nga Bashkia e Tiranës shkon deri në 16,37 mln lekë, shumë të cilën kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha detyrohet ta paguajë brenda 7 ditësh, sigurisht në emër të institucionit të tij.
“Gjoba” vjen gjithashtu edhe me një paralajmërim për bllokim të llogarive bankare të subjektit politik PD, nëse shuma nuk paguhet brenda 30 ditësh./ Top Channel/