Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut ka mbajtur dëgjim publik në lidhje me Projektligjin për Liritë Fetare.
Në këtë dëgjim publik po marrin pjesë të gjthë përfaqësuesit e bashkësive fetare, përjashtimisht atij të Kishës Ortodokse Serbe, që u tha se është rrugës duke ardhur.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame, Vedat Sahiti, ka thënë se ky ligj është tepër i nevojshëm pasi që rregullon statusin juridik të Bashkësive Fetare, pasi që sipas tij, shpesh herë edhe punonjësve u është bërë e padrejtë në mungesë të këtij ligji.
Përkrahje i ka dhënë këtij ligji edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, Fatmir Koliqi, që edhe ky e çmoi si të domosdoshëm këtë ligj për të organizuar jetën fetare në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Pro këtij projektligji janë shprehur edhe përfaqësuesit e komunitetit Hebre, ata të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës dhe Kishës Ungjillore të Kosovës.
Por, kundër ka dal përfaqësuesi i komunitetit Bektashi, Baba Mumin Lama.
Ai ka thënë se ky projektligj e ka përjashtuar këtë komunitet tërësisht, duke e vënë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.
Ai ka thënë se Bashkësia e Tarikateve, nuk mund t’i përfaqësojë ata pasi që kanë dallime të mëdha mes tyre, ndërsa ka shtuar se bektashizmi në Kosovë, është që nga viti 1320.
Kështu përfaqësuesi i këtij komuniteti ka kërkuar që të futet në ligj si Bashkësi Fetare.