Sot është shënuar 20 vjetori i rënies heroike të Mujë Krasniqit, përvjetor ky që shënon edhe transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Por këtë ngjarje shumë të rëndësishme për të gjithë kosovarët, duket se po e zbehin ftesat e Gjykatës Speciale për ish-ushtarët e UÇK-së.
Madje ish-bashkëluftëtarët e komandant “Kapuçit” e shohin si të padrejtë këtë gjykatë.
“Ne e kemi parë dhe vazhdojmë ta shohim si gjykatë të padrejtë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë sa krimet i ka kryer Serbia në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka marrë asnjë hap për gjykimin e këtyre rasteve”, ka thënë Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ka qenë e pritshme se ata do të ftohen nga Gjykata Speciale. Festën e nesërme do ta zbehin këto ftesa. Bashkëluftëtarët, ftesave duhet t’i përgjigjen, të përballën me drejtësinë dhe ta dëshmojnë pafajësinë e tyre. Ne jemi të bindur se kemi bë luftë të drejt”.

Edhe Hazir Murati, ish-bashkëluftëtarë i Mujë Krasniqit thotë se është kundër një gjykate selektive.
“UÇK e ka marrë epilogun e vet me përfundimin e luftës. Ndoshta ka pas individ që kanë bërë incidente gjatë luftës, kjo është përgjegjësi individuale, jo kolektive”, ka thënë Murati, që është edhe Rreshter Major në FSK.
“Unë kam qenë kundër një gjykate seletkive, nuk gjykohen ata që kanë bërë krime, por po gjykohen ata që e kanë mbrojtur pragun e atdheut. Megjithatë secili ushtarë duhet t’i përgjigjet ftesave të Gjykatës Speciale”.
klankosova.tv