Lajmet e fundit

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka vizituar sot Komunën e Shtimes ku është pritur nga kryetari i kësaj Komune, Naim Ismajli.
Në këtë takim, ministrja Bajrami dhe kryetari Ismajli nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit të Parkut Teknologjik të Shtimes i cili projekt është në fazën finale të realizimit.
Bajrami ka theksuar se financimi i ndërtimit të Parqeve Industriale është pjesë e strategjisë së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si komponentë e rëndësishme e planit të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes për kompanitë nga vendi si dhe për investitorët e huaj, transmeton Klan Kosova.
Gjatë periudhës 2013 – 2015, MTI ka financuar realizimin e këtij projekti me shumën prej 350 000 euro, ndërsa sivjet ka ndarë shumën prej 68 000 euro e cila do të përdoret për finalizimin e punëve të këtij Parku Teknologjik i cili ka një sipërfaqe prej 10.7 hektarësh.
Ministrja Bajrami premtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën në krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për afarizëm në vendin tonë duke ua mundësuar bizneseve që të rrisin performansën e tyre në të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së ekonomisë së vendit tonë.