Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi protestuesit e vendosur në çadrën para Kryeministrisë në 26 vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, për të rinovuar, sipas tij, mesazhin e madh popullor: “shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë”.
“Shqiptarët u ngritën në 20 shkurt dhe morën në dorë fatin e tyre, pasi nuk e pranonin dot demokracinë fasadë. Sot, kemi sërish demokraci fasadë. Demokracia fasadë është e keqja e të gjitha të këqijave”, ka thënë Basha, shkruan Top Channel.
“Ku ka demokraci fasadë, ka ekonomi fasadë, shëndetësi fasadë dhe bujqësi fasadë. Pas demokracisë fasadë fshihen kriminelë që sot janë bërë deputetë e kryetarë bashkish. Ndaj, jemi mbledhur këtu për të rinovuar mesazhin e madh popullor: shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë! Shqiptarët janë ngritur për demokracinë e vërtetë që arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.
“Tani që vendimi i madh popullor është marrë, ne themi se zgjedhje të lira e të ndershme do të ketë vetëm me qeveri teknike, pa Edi Ramën kryeministër. Nga kjo nuk ka kthim. Një tjetër miting më i madh do të mbahet”, shtoi Basha.
klankosova.tv