Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e mërkurë, deklaroi se shifrat tregojnë se mungojnë 134 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet, por kryeministri Edi Rama hesht pasi ka bërë pakt me kontrabandistët.
“Gjendja reale e ekonomisë nuk gënjen. Shifrat nuk e lënë Ramën të ndërtojë kështjella rëre me gënjeshtra. Shifrat tregojnë 134 milionë dollarë deficit në dogana dhe tatime. Të ardhurat që mungojnë vijnë nga kontrabanda e duhanit dhe naftës. Edi Rama hesht për këtë, pasi ka një pakt me kontrabandistët”, theksoi kreu i PD-së.
“Tani, Rama do të godasë sipërmarrësit për të vjelur këto të ardhura dhe nuk do të prekë kontrabandistët”, shtoi Basha.
Kryetari i PD-së preku edhe çështjen e azilkërkuesve: “7000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani vetëm në muajin korrik sepse Rama premtoi 300 mijë vende pune, por sot hesht kur i sheh si largohen njerëzit nga vendi. Këta i ikin gjykimit duke blerë votën, prandaj nuk kanë turp”.
Më tej, kreu i opozitës prezantoi edhe platformën e partisë së tij për daljen nga kriza: “Alternativa jonë është një platformë e plotë për nxjerrjen e vendit nga kriza duke filluar me një paketë emergjence të shpëtimit kombëtar. Në themel të kësaj platforme qëndron një ekonomi transparente dhe jo një ekonomi monopolesh dhe kontrabandistësh; një taksë që do të jetë më e ulta në Ballkan; një dalje nga rekordi i çmimeve më të larta të naftës në rajon dhe ulja e çmimit të energjisë”.