Lajmet e fundit

“Nuk ka pamje më të trishtë se një kryeministër i ulur në krye të vendit duke ju dhënë leksion profesorëve të ulur si nxënës në auditor, duke i marrë në pyetje e duke ju dhënë edhe lejen të flasin apo jo”.
Ky është komenti i ashpër i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për takimin e të kryeministrit Edi Rama me Senatin e Universitetit të Tiranës dhe dhjetëra pedagogë.
Sipas Bashës, kreu i qeverisë fyeu trupën e pedagogëve duke folur për autonomi, kur në të vërtetë sistemi është i centralizuar dhe për gjithçka vendos ministrja dhe vetë ai.
“Kryeministri që mbledh Senatin e Universitetit, kërcënon dhe fyen pedagogët, përqesh dhe denigron profesorët, është dëshmia e “pavarësisë” fallso të universitetit publik, ku rrogat i vendos ministri, strukturën e shkollave e vendos ministri, programet i vendos ministri, madje edhe ditën e fillimit të vitit shkollor e vendos ministri”, shprehet Basha.
Lideri i opozitës bën me dije se Rama iu është fshehur pedagogëve që kërkuan ballafaqimin me të pas problemit që lindi me pagat. “Ju është fshehur dhe i sulmon e ju hakërrehet nga frëngjia e bunkerit, ku ka futur përdhunshëm shumë nga të emëruarit e tij”, thotë Basha.
“Universiteti duhet të bëjë para, duhet të bëjë biznes, ju thotë kryeministri pedagogëve, sepse edhe universitetin ky e sheh si bizneset e ndërtimit me të cilët ndan paratë. Një kryeministër injorant, që nuk kupton se dija dhe shkollimi nuk është mall si çdo mall tjetër dhe universitetet nuk janë firma ndërtimi, është në krye të një qeverie që mbjell injorancë”.
Basha nënvizon se ka vetëm një zgjidhje për arsimin e lartë dhe ajo lidhet me autonominë e plotë akademike, financiare dhe administrative. “Ka vetëm një zgjidhje për arsimin e lartë: universitete jo-fitimprurëse, jashtë kontrollit të qeverisë dhe të pronarëve”, thekson kreu i PD.