Lajmet e fundit

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha ka propozuar Dritan Hajron si kandidat për kryetar bashkie në Kolonjë. Kandidati është propozuar nga Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Agron Duka.
Kolonja, tha zoti Basha, do të jetë shembulli i bashkimit të madh qytetar për t’iu kundërvënë aleancës së krimit dhe drogës.
"Kandidati është i propozuar nga PAA dhe i miratuar nga kryesia e degës së Ersekë është z.Dritan Hajro. Ai vjen nga një background i majtë, por ndan me ne demokratët, ndan me të djathtën shqiptare, me koalicionin tonë opozitar domosdoshmërinë e përballjes me të keqen që kemi përballë. Domosdoshmëri e qendresës, refuzimit dhe përballjes me Edi Ramën, me krimin, me drogën, me korrupsionin".
"Dhe është njësoj si dhjetëra, qindra, mijëra shqiptarë me prejardhje politike të majtë i rreshtuar pa asnjë hezitim në një aleancë të madhe që po zmadhohet dita –ditës dhe që ka për qëllim bashkimin e fuqive të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të djathtë, të qendrës dhe të majtë që kanë marrë një zotim para qytetarëve shqiptarë dhe një zotim para historisë në këtë moment delikat për Shqipërinë dhe për shqiptarët".
Vetë Hajro theksoi se kishte kandiduar duke parë situatën e rëndë ekonomike që po kalojnë qytetarët e Kolonjës, shkruan Ora News.
"Këto janë zgjedhje administrative, nuk janë zgjedhje politike. Unë do të jem kryetari i bashkisë për të gjithë qytetarët e Kolonjës pa dallim bindjeve politike. Do të jemi bashkë me qytetarët për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre".
Koalicionit të madh opozitar, tha kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, po i bashkohen shumë socialistë pasi sot në qeverisje nuk janë socialistët por vetëm një grusht njerëzish të lidhur me Edi Ramën.
Zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Kolonjës vijnë pas ndarjes së parakohshme nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo.
Presidenti i vendit Bujar Nishani ka dekretuar 20 nëntorin si datë e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Kolonjës.