Lajmet e fundit

Në lidhje me ngjarjet e ndodhura ditën e sotme në vend, ku u grabitën dy biznese dhe një bankë e nivelit të dytë, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Me anë të një postimi në faqen e tij në ‘Facebook’, Basha pohoi se duke marrë shkas nga këto ngjarje, janë kambana e alarmit që bien pa pushim për pasigurinë që ofron rendi.
“Dy grabitje biznesesh sot në zemër të vendit, dhe bastisja e një banke në qendër të Tiranës, janë kambanat e alarmit që bien pa pushim, e çdo ditë, për pasigurinë totale dhe braktisjen që Edi Rama i ka bërë me kohë detyrës kryesore që është ofrimi i rendit dhe sigurisë. Ndërkohë pa kaluar gjatë raportohet një skandal tjetër i rëndë në Rinas, ku sipas informacioneve është arratisur faqe policisë një shtetas turk, të cilit i ishte ndaluar hyrja në territorin tonë”, shkruan Basha.
Ndër të tjera Basha ka rikthyer vëmendjen edhe tek vrasja e 17-vjeçarit, i cili u gjet i vrarë dje në landfillin e Sharrës.
“Lajm tronditës vrasja e një 17-vjecari e përdhosja e trupit te tij. Të plagosur rëndë nga aksidenti në Librazhd, e një i vdekur në Shkodër nga përplasja me makinë, çka e çon mbi 20 numrin e jetëve të humbura në rrugë për dy javët e fundit. Ky është shpartallim total i çdo standardi sigurie. Sepse e shpartalluar është qeveria. I dorëhequr de fakto është kryeministri. Ai prej kohësh nuk ka më prioritet qytetarët, por ruajtjen e arave me drogë. Madje ruajtja e parcelave me kanabis dhe vjelja e taksës 30 për qind për çdo rrënjë, është detyra e vetme që i ka lënë kryeqehajait të tij narkoman. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë fatkeqësi. Shqipëria meriton rend e siguri”, pohoi Basha.
Në fund, kreu i opozitës theksoi se krimi do të shtypet, pasi Shqipëria meriton rend dhe siguri. “Dhe ne do t’ ja japim. Krimi do të shtypet. Politikanët e lidhur me të do të kenë të njëjtin fat. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundon statusin e tij Basha.