Lajmet e fundit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar paraditen e sotme me shefen e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover, të cilës i ka shprehur shqetësimet për zgjedhjet e fundit lokale në vend.
Në një prononcim për mediat në fund të taktimit, Basha tha se e ka njoftuar Gloverin me shkeljet e maxhorancës që pretendohen nga të djathtët për zgjedhjet. Ai tha se këto shkelje variojnë nga shit-blerja e votave e deri tek kërcënimi i administratës publike.
“Takimi me zonjën Glover ishte shumë produktiv. Folëm për shkeljet në procesin zgjedhor. PD është në procesin e hartimit të një raporti të detajuar të shkatërrimit të standardeve zgjedhore që kulmuan ditën e zgjedhjeve, por që kishin nisur që në fushatë. Shqetësimet tona dhe të ODIHR-it janë të përbashkëta sa i takon shit-blerjes së votës, përdorimit të bandave kriminale, falsifikimit të kartave të identitetit, presionit mbi administratën publike, etj”, tha Basha para gazetarëve.
Më tej Basha përsëriti atë që paralajmëroi pak ditë më parë nga Brukseli, se do të nisë një betejë ligjore për ndëshkimin e këtyre shkeljeve.
“Kjo shkelje e standardeve në zgjedhjet e 21 qershorit është e dokumentuar dhe se opozita do të nisë një betejë për të zhbërë këtë sistem manipulimi”, tha Basha, transmeton Shekulli.al