Lajmet e fundit

Barcelona dhe Luis Suarez kanë nisur diskutimet rreth kontratës së sulmuesit, me mediat katalane që njoftojnë se marrëveshja e re do të zgjasë me një vit qëndrimin e parashikuar deri në vitin 2019 dhe përmirësojë përfitimet e lojtarit.
Uruguajianit pritet ti ofrohet një pagë në nivelin e brazilianit Neymar, e cila do të bënte që në radhët e “blaugranave” vetëm Lionel Messi të ishte më i paguar se ai.
Takimi i parë ndërmjet drejtuesve të klubit katalan dhe përfaqësuesve të sulmuesit është zhvilluar me sukses. Menaxheri Pere Guardiola siguroi rritjen e ndjeshme të rrogës për Luis Suarez, ndërsa palët vendosën të zhvillojnë të tjera takime për bisedimet formale.
Edhe pse sulmuesi nuk ka bërë asnjë kërkesë për rishikimin e kontratës, sipas gazetës “Sport” ishin drejtuesit e klubit ata që besojnë se pagesat e Neymar dhe Suarez duhet të jenë në të njëjtat nivele. Kjo pavarësisht faktit që me kontratën e re, përfitimet financiare e yllit brazilian janë dukshëm më të larta se ato të uruguajianit.
Aktualisht Luis Suarez përfiton njësoj si Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Andres Iniesta, por synimi i klubit është që paga e tij të ngrihet edhe më tepër, megjithëse në Janar sulmuesi do të festojë 30-vjetorin e lindjes.
Përmirësimi i kushteve të kontratës është mënyra sesi Barcelona vlerëson sulmuesin, që prej transferimit në Camp Nou nga Liverpool në vitin 2014 është kthyer në një element tejet të rëndësishëm të skuadrës./supersport.al